17 March 2011

ERE: Shqiptarët vjedhin 18% të energjisë elektrike

Dy të pestat e energjisë që hidhet ne rrjet, vidhet. Humbjet e energjisë elektrike vijojnë të mbeten një problem që nuk po gjen zgjidhje edhe pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në total, kompania CEZ Shpërndarja nuk paguhet për rreth 30 për qind të energjisë elektrike që shërben ndërkohë që 18 për qind e saj vidhet nga konsumatorët me metoda të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër rreth 15.2 për qind e totalit të humbjeve ka të bëjë kryesisht me amortizimin e rrjetit.

Raporti
Përpos këtyre treguesve, nga viti në vit është vërejtur një ulje e ndjeshme e humbjeve për shkak të investimeve në rrjet apo shtimit të arkëtimeve. Sipas të dhënave të publikuara dje nga kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, deri në fund të vitit 2010, CEZ Shpërndarja raporton se ka ulur humbjet deri në 30.38 për qind ndërkohë që deri në fund të 2011-s ato duhet të ulen edhe më tej, duke shkuar në 27.9 për qind. Gjithsesi, këto tregues shihen si të pamjaftueshëm nga ERE, ndërsa kreu i saj nuk ka kursyer kritikat publike ndaj kompanisë së shpërndarjes.


"Efiçenca e ulët në konsumin e energjisë elektrike vjen si pasojë e një menaxhimi ende cilësisht të pamjaftueshëm të sektorit të shpërndarjes. Privatizimi i OSSH-së deri tani nuk ka reflektuar akoma ndonjë kthesë të ndjeshme në mirë menaxhim", - citohet në raportin e ERE-s për vitin 2010, i dorëzuar tashmë në Kuvend.


Konsumi

Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare, rreth 80 për qind e tyre konsumojnë mesatarisht më pak se 300 kilovat/orë energji elektrike në muaj. Kjo është e dhënë zyrtare e ERE-s, e cila tregon edhe një herë ndikimin që ka rritja e çmimit tek xhepat e konsumatorëve familjarë. Madje, rreth 48 për qind e konsumatorëve, ku pjesa më e madhe janë familjarë, harxhojnë mesatarisht më pak se 100 kilovat/orë energji elektrike duke bërë kështu më tepër të nevojshme riskedulimin e fashave mbrojtëse në varësi të konsumit mesatar në varësi të stinës apo edhe sasisë së konsumit.

Ndërkohë, familjarët janë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë që hidhet në rrjet. mësohet se rreth 55 për qind e saj konsumohet nga abonentët familjarë, ndërsa 41 për qind e saj nga bizneset private. Pjesa tjetër konsumohet nga institucionet shtetërore. Këto tregues, sipas ERE-s raportojnë për një nivel të ulët të industrializimit të ekonomisë shqiptare.


Nafta virgin, Financat: Katërfishuam të ardhurat nga karburantet
Publikimi i skandalit me naftën virgin si dhe akuzat për subvencionimin e TVSH-së ndaj kompanive të karburantit ka bërë të reagojë edhe Ministrinë e Financave. Në një deklaratë për shtyp, ministria mohon akuzat e hedhura deri më tani ndaj saj duke theksuar se gjatë viteve të fundit organet tatimore dhe doganore kanë katërfishuar të ardhurat nga taksimi i karburanteve. "Të ardhurat nga taksimi i karburanteve janë katërfishuar. Një tjetër element që ka sjellë këto rezultate është vendosja e rregullave në tregun e brendshëm të karburanteve ku nafta virgin, që është tregtuar lirshëm gjatë qeverisjes socialiste, tashmë është vendosur nën kontrollin e administratës fiskale", - thekson Ministria në reagimin e saj.
Ministria e Financave ka qenë një ndër institucionet më të akuzuara për shkak të skandalit me naftën virgin, nga i cili disa kompani të tregtimit të naftës kanë përfituar miliona euro me nëpërmjet abuzimit. Duke bërë dokumentet sikur nafta eksportohej, kompanitë përfitonin edhe nga kthimi i TVSH-së, siç bëhet në rastet e mallrave të eksportit. (Gazeta Shekulli)