24 October 2010

Tirana Bank, provigjionet në 2.44 mln euro

Tirana Bank, ka bërë publike disa rezultate financiare të pjesshme dhe të pa-audituara për nëntëmujorin e parë të vitit 2010. Sipas të dhënave që Tirana Bank ka zgjedhur të publikojë, fitimi për nëntëmujorin arriti në 8.5 milionë euro, me një rritje prej 73% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 
  Vlera e provigjioneve për humbjet nga kreditë të bankës arriti në 2.44 milionë euro, çka reflekton edhe njëherë rritjen e kredive me problem për sistemin bankar. Megjithatë, Tirana Bank raporton një normë të kredive me problem në nivelin 8.1%, që është më e ulët se mesatarja prej 13.5% e sistemit bankar.

Tirana Bank bëri gjithashtu të ditur se raporti mes kredive dhe depozitave është ulur në 91%, çka e ul nevojën e Tirana Bank për t’u financuar me linja kredie nga banka mëmë, Grupi Bankar i Pireut. Raporti i mjaftueshmërisë se kapitalit mbetet brenda parametrave rregullatorë të Bankës së Shqipërisë, në nivelin 14.9%.

Numri i degëve dhe agjencive të Tirana Bank në fund të 9-mujorit arriti në 55, dhjetë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gazetar: Ersuin Shehu SCAN TV